Krasniqi pret ish-profesorët e “Xhevdet Dodës”: Kriza politike po i rëndon të gjithë, nga mësuesit te familjet e zakonshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e partisë disa nga ish-profesorët e tij të shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, në një takim të veçantë dhe emocional, siç e përshkroi ai vetë.

I shoqëruar nga bashkëpartiakët Uran Ismaili, Abelard Tahiri dhe Blerand Stavileci, Krasniqi mirëpriti në PDK profesorët Mikel Demaj, Shyqëri Obërtinca, Riza Noka, Azem Jaha dhe Ismet Maloku – figura që, sipas tij, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin e tyre si individë dhe qytetarë.

“Personalitete që edukuan me shembull, me pasion për dijen dhe përkushtim për shërbimin publik”, theksoi Krasniqi duke u shprehur me respekt e mirënjohje për kontributin e tyre.

Në këtë takim, profesorët kanë shprehur shqetësime serioze për gjendjen e rëndë politike në vend dhe ndikimin që kjo krizë po ka në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Ata kanë ngritur zërin për pasojat e bllokadës institucionale që po i prek të gjithë – nga pensionistët, mësimdhënësit e deri te qytetarët e zakonshëm që përballen me mungesën e funksionimit shtetëror.

Krasniqi tha se ndan plotësisht shqetësimet e tyre duke theksuar se përkushtimi për vendin dhe për një qeverisje funksionale mbetet një borxh moral edhe ndaj mësuesve dhe edukatorëve të brezave.

“Respekt e mirënjohje për ta dhe për gjithë mësuesit që kanë ndikuar në jetët tona. Angazhimin për vendin ua kemi borxh edhe atyre!”, u shpreh kryetari i PDK-së. /Kosova.info/

Go to TOP