Grenell: Turp për Osmanin, manipuloi fjalët e presidentit Trump

Emisari i Shteteve të Bashkuara për Misione të Posaçme gjatë administratës Trump, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke e akuzuar atë për “manipulim të fjalëve” të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një postim në platformën “X” të dielën, Grenell shkroi: “Turp për Osmanin që manipulon fjalët e presidentit Trump” duke reaguar pas deklaratës së presidentes Osmani, e cila kishte përmendur “informacione të besueshme” se Trump kishte parandaluar një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës gjatë kohës së presidencës së tij.

Grenell theksoi se Trump ishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për rolin e tij në nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit më 2020, e cila kishte në qendër normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se Osmani nuk kishte qenë pjesë e atij procesi dhe kritikoi atë që e quajti “shtrembërim të së vërtetës”.

“Dhe të pretendosh sikur ka ndodhur diçka e re është absurde,” theksoi Grenell duke kujtuar përfshirjen e tij si një nga figurat kyçe në procesin e ndërmjetësimit gjatë administratës së Trump.

Nga ana tjetër, vetë ish-presidenti Trump kohët e fundit e ka përmendur Kosovën dhe Serbinë si shembuj të suksesit të tij në parandalimin e konflikteve ndërkombëtare duke thënë se kishte ndaluar një sulm potencial serb ndaj Kosovës dhe u zotua të “korrigjojë gabimet e Joe Biden” në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë, deklaratat e fundit nga të dyja palët kanë krijuar paqartësi, pasi mungojnë detaje konkrete mbi kohën dhe mënyrën se si mund të ketë ndodhur një përshkallëzim i tillë. Kjo ka nxitur debat në opinionin publik dhe skenën politike, me theks të veçantë mbi rolin e SHBA-së në stabilitetin e rajonit. /Kosova.info/


Go to TOP