​Tërnava nderon viktimat që u masakruan nga forcat serbe në Srebrenicë

Në përvjetorin e 30-të të gjenocidit në Srebrenicë, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, mori pjesë në ceremoninë zyrtare përkujtimore të mbajtur në Qendrën Memoriale në Potoçar të Srebrenicës, duke shprehur solidaritetin dhe nderimin për viktimat dhe familjet e tyre.

Në këtë ngjarje të rëndësishme ishin të pranishëm udhëheqësit më të lartë të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe delegacione nga vende të ndryshme të botës.

Tërnava mori pjesë edhe në faljen e namazit të xhumasë në mesxhidin e Qendrës Memoriale, si dhe në faljen e namazit të xhenazes për shtatë viktimat e reja të identifikuara të gjenocidit, trupat e të cilëve janë varrosur pas 30 vitesh.

Me këtë rast, te varrezat e viktimave, myftiu bëri lutje për shpirtat e të gjithë atyre që u masakruan nga forcat serbe, duke shprehur respektin dhe dhembjen e thellë për humbjen e tyre.

Ai ishte i shoqëruar nga Reisul-ulema i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Husein Kavazoviq, dhe nga Reisul-ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetai. Së bashku vizituan Qendrën Memoriale dhe varrezat e viktimave të gjenocidit në Potoçar, duke shprehur solidaritetin dhe nderimin e tyre për viktimat dhe familjet e tyre. /Kosova.info/


Go to TOP