Bujqit të kënaqur me rendimentet, por jo me çmimin 18 cent për kg të grurit

Në nivel vendi, këtë vit, të mbjella me grurë janë mbi 74 mijë e 700 hektarw. Rendimentet pritet të jenë rreth 4 mijë e 800 kilogram për hektar, si në vitin e kaluar, thonë nga Ministria e Bujqësisë. Bujqit ndërkaq janë të kënaqur me rendimentet, por jo edhe me çmimin prej 18 cent për kilogram, të cilin e ofrojnë mullisët.

Fushata e korrje-shirjes së grurit po vazhdon, në gjithë Kosovën. Këto ditë, tokat e mbjella me grurë, po i korrë edhe Valon Vehapi, fermer nga komuna e Lipjanit. Ai tregon për Radio Kosovën për sipërfaqet e mbjella me grurë dhe rendimentet që i pret, teksa ankohet për çmimin e ulët me të cilin blihet gruri nga mullisët.

“Këtë vit i kam diku mbi 120 hektar me grurë. Pritjet për rendimentin janë të ngjashme me vitin e kaluar, që do të thotë të kënaqshëm. Rendimentet diku do të sillen nga 6 deri në 6.5 ton për hektar. Mirëpo, problem për fermerët është problemi i çmimit të drithit. Kostoja e prodhimit nuk e mbulon koston që neve na ka kushtuar nga mbjellja e deri në korrjen e një hektar me grurë e që arrin vlerën deri në 1200 euro”, tha ai.  

Këtë vit, në nivel vendi janë të mbjella me grurë mbi 74 mijë e 700 hektarw. “Bazuar në të dhënat e mbledhura dhe vizitat e realizuara në terren, gjendja e grunajave është e mirë. Pritet që rendimenti të jetë i kënaqshëm, i përafërt me atë nga viti i kaluar, rreth 4 mijë e 870 kg/ha”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën, zyrtarw nga Ministria e Bujqësisë.

Profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se rendimentet e grurit do të jenë mesatare, por tw pamjaftueshme për nevojat që ka Kosova.

“Pritet të kemi një prodhim mesatar nga 4.5 deri në 5.5 ton, varësisht nga ngastra. Nuk ka ndonjë dallim të madh në mes të prodhimit për njësi sipërfaqësore të këtij viti me vitin e kaluar. Por si duket erdhe këtë vit do të kemi kontingjente te caktuara të importit, siç kemi pasur edhe viteve të kaluara”, tha ai.

Ndërkohë, si pasojë e zjarreve që ditë më parë u përhapën në pjesë të ndryshme të Kosovës, u dogjën sipërfaqe të konsiderueshme të sipërfaqeve të mbjella me grurë. Dëmet konsiderohen të mëdha, teksa akoma nuk ka sinjale për kompensimin e bujqve të cilëve iu dogj “buka e motmotit”.


Go to TOP