Lipjani dhe LBK-ja nënshkruajnë memorandum për zhvillim ekonomik dhe mbështetje të sektorit privat
Sot në Lipjan është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK) duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe krijimit të një marrëdhënieje formale për zhvillim ekonomik dhe mbështetje të sektorit privat.
Memorandumi u nënshkrua nga Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, dhe Kryetari i LBK-së, z. Besart Dreshaj, në prani të përfaqësuesve të dy institucioneve. LBK ishte e përfaqësuar nga z. Besart Dreshaj – kryetar, z. Hashim Deshishku – nënkryetar, dhe z. Mustaf Krasniqi – anëtar i kryesisë.
Palët u zotuan të bashkëpunojnë ngushtë në promovimin e prodhimeve vendore, përkrahjen e iniciativave të sektorit privat, nxitjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e projekteve me karakter ekonomik që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe fuqizimin e ekonomisë lokale.
Në kuadër të marrëveshjes, Komuna e Lipjanit do të ofrojë mbështetje për iniciativat që përmirësojnë klimën e të bërit biznes dhe krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin e ndërmarrjeve.
Objektivat kryesore të këtij bashkëpunimi përfshijnë: promovimin e prodhimeve dhe shërbimeve vendore; lehtësimin e procedurave administrative për bizneset dhe përmirësimin e klimës investuese; avokimin e përbashkët për nisma ligjore që mbrojnë dhe fuqizojnë sektorin privat; rritjen e transparencës në proceset vendimmarrëse komunale; hartimin e politikave të përbashkëta për zhvillim ekonomik dhe tërheqje të investimeve dhe përfshirjen e bizneseve në identifikimin dhe adresimin e sfidave ligjore dhe administrative.
Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, dhe kryetari i LBK-së, Besart Dreshaj, theksuan rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi të qëndrueshëm duke vënë në pah përkushtimin e përbashkët për një zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik dhe përkrahjen konkrete të komunitetit të biznesit.
Ky memorandum paraqet një shembull pozitiv të ndërtimit të partneriteteve strategjike ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, në funksion të interesit të qytetarëve të Lipjanit dhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike në vend. /Kosova.info/
