Musliu: Deputetet e Vetëvendosjes u sollën si “bulizues kolektiv” ndaj Paris Gurit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së disa deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën konstituive të Kuvendit duke i akuzuar ato për bullizim kolektiv ndaj deputetit të ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri.

Musliu tha se në vend që Guri të përkrahej dhe inkurajohej në hapat e tij të parë si deputet, ai u përball me një fushatë talljeje dhe përbuzjeje të organizuar nga deputetët e Vetëvendosjes, jo për qëndrimet e tij politike, por për emrin dhe moshën e tij.

“Sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës u pa qartë se sa larg është gatshme të shkojë Vetëvendosje në bullizim kolektiv,” deklaroi Musliu. Sipas saj, në krye të kësaj fushate denigruese qëndronin tri deputete: Mimoza Kusari, Donika Gërvalla dhe Fitore Pacolli.

Musliu theksoi se ky veprim është i dënueshëm jo vetëm për shkeljen e etikës parlamentare, por edhe për mesazhin negativ që i dërgohet rinisë politike në Kosovë.

“Nëse një emër ose një moshë e re është arsye për t’u përbuzur në Kuvend, atëherë çfarë mesazhi u jepet të rinjve që duan të kontribuojnë për vendin?”, pyeti ajo.

Deputetja e PDK-së e përmbylli reagimin duke e quajtur sjelljen e deputeteve të Vetëvendosjes “të frikshme dhe të papranueshme” duke u bërë thirrje institucioneve dhe opinionit publik që të mos lejojnë normalizimin e bullizmit në jetën politike e parlamentare të vendit. /Kosova.info/

Go to TOP