DhTIK kërkon hetim nga Avokati i Popullit: Policia dhe ARC po bllokojnë regjistrimin e automjeteve të bizneseve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka kërkuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që të nisë hetime lidhur me një praktikë të re të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Policisë së Kosovës, për të cilën thotë se po dëmton rëndë funksionimin e bizneseve në vend.

Sipas Dhomës, që nga data 31 maj 2025, autoritetet kanë filluar të zbatojnë një interpretim të ri të Nenit 89, paragrafi 4, të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor. Në bazë të kësaj praktike, një subjekt juridik nuk mund të regjistrojë asnjë automjet nëse ka ndonjë gjobë të papaguar për një automjet tjetër në pronësi të tij, pavarësisht nëse automjeti që kërkohet të regjistrohet është i pastër nga ndëshkimet.

DhTIK thekson se ka pranuar një numër të madh ankesash nga anëtarët e saj, të cilët po përballen me pamundësinë për të regjistruar automjete të reja apo për të vazhduar regjistrimin e atyre ekzistuese, për shkak të gjobave të pashlyera për mjete të tjera brenda të njëjtit biznes.

Sipas Dhomës, kjo praktikë po krijon një pengesë serioze për qarkullimin normal ekonomik, për të drejtën e bizneseve për të ushtruar aktivitetin e tyre dhe për pronësinë e lirë. DhTIK argumenton se këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 46, paragrafi 1 të Kushtetutës së Kosovës, i cili garanton të drejtën e pronës.

“Zbatimi i këtij paragrafi e pamundëson pronarin e automjetit që të ketë qasje dhe ta shfrytëzojë pronën e tij. Kjo është një ndërhyrje arbitrare që ka efekt të menjëhershëm negativ në aktivitetet e bizneseve”, thuhet në reagimin e Dhomës.

Ajo gjithashtu kritikon mënyrën se si është futur paragrafi 4 në Nenin 89 duke e cilësuar si “kontrabandim normativ”, pasi ai trajton një çështje jashtë objektit të atij neni, i cili ka të bëjë me ndalesat e parkimit. Sipas tyre, futja e një mase që ndalon regjistrimin e automjeteve për shkak të gjobave të tjera pa ndonjë konsultim paraprak, përbën shkelje të sigurisë ligjore dhe hap rrugën për abuzime në praktikë.

Në një takim të mbajtur muajin e kaluar me përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil, DhTIK ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të kësaj praktike dhe rishikimin e interpretimit të Nenit 89, në mënyrë që ai të përputhet me qëllimin e tij fillestar ligjor.

Përndryshe, kjo situatë, sipas Dhomës, po çon në rritje të veturave të paregjistruara në trafik, në shkelje të rregullave të sigurisë rrugore, dhe në humbje të konsiderueshme financiare për ndërmarrjet në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP