Maqedonci: Anëtarësimi i Kosovës në BE e NATO, garanci për stabilitet
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bashkë me vartësit e tij kanë pritur në takim Kancelarin Federal dhe ministrin e Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit të Zvicrës, Martin Pfister.
“Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve dhe edukimit ushtarak – një hap i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ministria e Mbrojtjes ka treguar se kreu i saj, Maqedonci e ka informuar homologun zviceran për arritjet e FSK-së ndër vite. “Dhe theksoi rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si garanci për stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje aty.
Siç ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes, ministri Maqedonci në këtë takim ka theksuar rolin kyç, sipas tij, të diasporës në Zvicër si një urë lidhëse mes dy vendeve, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe zhvillimin e vendit.
“Të dy ministrat u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke konfirmuar përkushtimin e ndërsjellë për një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
