Dy raste të vrasjes në tentativë brenda 24 orëve në Prizren
Dy raste të vrasjes në tentativë janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në qytetin e Prizrenit, ku si pasojë e incidenteve të ndara, dy persona kanë përfunduar me lëndime trupore si rezultat i goditjeve me thikë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur në raportin 24 orësh se rasti i parë ka ndodhur më 6 korrik, rreth orës 14:00, ku një përleshje mes dy shtetasve të huaj ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre.
Viktima ka pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjes me thikë dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.
I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër, i ngjashëm, është regjistruar po atë ditë rreth orës 13:30. Sipas raportit të Policisë, një mashkull kosovar ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe është kanosur me thikë nga një person tjetër kosovar, pas një mosmarrëveshjeje.
Viktima është trajtuar për plagët e marra, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
