Bajrami: LVV po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues.

Në një deklaratë publike, Bajrami ka kritikuar përpjekjet e dështuara të LVV-së për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në pozitën e kryetares së Kuvendit, pas dorëheqjes së Glauk Konjufcës. Ajo ka theksuar se në gjashtë seanca të hapura, Haxhiu ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme, ndërsa LVV ka dështuar plot 34 herë për ta formuar komisionin për votim të fshehtë.

“Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë se deputetët janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre, e jo sipas direktivave të Albin Kurtit. Me 34 votime të dështuara, deputetët kanë treguar qartë kundërshtimin e tyre për këtë proces dhe për kandidaturën e Albulena Haxhiut,” tha Bajrami.

Ajo shtroi pyetjen se çfarë arrihet me përsëritjen e të njëjtit skenar edhe dhjetë herë të tjera duke paralajmëruar se kjo qasje e Vetëvendosjes po e shtyn vendin drejt një krize të thellë institucionale.

“Kur të përmbyset rendi kushtetues, pasojat do të jenë të rënda për të gjithë. Përgjegjësia për këtë situatë bie plotësisht mbi LVV-në,” përfundoi deputetja Bajrami. /Kosova.info/

Go to TOP