LBK ngre alarmin: Sektori minerar në kolaps, qindra kompani drejt falimentimit për shkak të bllokadave institucionale

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka ngritur një shqetësim të thellë lidhur me gjendjen alarmante në të cilën ndodhet sektori minerar në Kosovë, veçanërisht kompanitë që operojnë në gurthyerje dhe prodhim betoni. Sipas LBK-së, pengesat e shumta institucionale po kërcënojnë seriozisht funksionimin dhe mbijetesën e këtyre ndërmarrjeve, që përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të ekonomisë vendore.

Arsyet kryesore të krizës përfshijnë: mosfunksionimi i bordeve dhe departamenteve përkatëse, që po pamundëson lëshimin e lejeve dhe dokumenteve të domosdoshme për operim të ligjshëm; mungesa e mundësisë për pagesë me këste të rentës minerare, ndryshe nga praktikat lehtësuese në sektorë të tjerë; mungesa e platformave elektronike për raportim, që ndikon negativisht në transparencë dhe efikasitet; qindra lëndë të bllokuara në Bordin e Minierave, të patrajtuara për muaj të tërë; zvarritja në miratimin e Udhëzimit Administrativ për Qiranë e Tokave Pyjore, e cila pengon shfrytëzimin ligjor të pronave publike dhe vonesa të pajustifikuara nga institucionet komunale dhe ato qendrore, si në dhënien e pëlqimeve ashtu edhe në vazhdimin e projekteve ekzistuese.

LBK thekson se shumë kompani kanë investuar miliona euro në pajisje dhe teknologji, si dhe janë të ekspozuara ndaj kredive të mëdha bankare. Çdo vonesë institucionale e mëtejshme, sipas tyre, po i shtyn këto ndërmarrje drejt falimentimit, me pasoja serioze: humbje të vendeve të punës, me qindra punëtorë që po mbesin pa të ardhura; rënie të të hyrave buxhetore, si pasojë e pezullimit të aktivitetit dhe uljes së tatimeve e doganave; cenim të stabilitetit të sektorit ndërtimor dhe infrastrukturor në vend; humbje të besimit tek investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë dhe rritje të importeve duke dëmtuar prodhuesit vendorë.

Vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2025, importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje mbi 70% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. LBK thekson se kjo rritje është indikator i drejtpërdrejtë i bllokadave që po e shkatërrojnë konkurrueshmërinë e prodhuesve vendas.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon ndërhyrje urgjente nga Qeveria dhe institucionet përkatëse për: miratimin e menjëhershëm të Udhëzimit Administrativ për Qiranë e Tokave Pyjore; rivitalizimin e bordeve funksionale për të shqyrtuar lëndët e bllokuara; krijimin e platformave digjitale për raportim dhe transparencë dhe trajtimin e barabartë të kompanive vendore në raport me sektorë të tjerë ekonomikë.

LBK ngre alarmin publikisht dhe kërkon që përgjegjësit institucionalë të veprojnë pa vonesë për të ndalur kolapsin e mëtejshëm të sektorit minerar – një sektor kyç për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe sigurinë infrastrukturore të Republikës së Kosovës.


Go to TOP