Cakolli: Seanca konstitutive dështon për herë të 34-të – akuzon Deharin për mbyllje arbitrare

Edhe një dështim në përpjekjet për konstituivin e Kuvendit. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas mbylljes së radhës së seancës nga kryesuesi Avni Dehari duke e cilësuar atë si veprim arbitrar dhe në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit.

Në një reagim të publikuar pas dështimit të seancës së sotme konstituive, Eugen Cakolli tha se kryesuesi Avni Dehari ka mbyllur për të 34-tën herë një seancë në mënyrë arbitrare, pa vendim formal dhe pa votim. Ai e cilëson këtë si një shkelje të përsëritur të procedurave parlamentare.

“Pas mbylljes, partitë e tjera ‘vazhduan’ me fjalime politike duke simuluar një seancë që nuk ka asnjë vlerë procedurale dhe bie ndesh me Rregulloren,” shkruan Cakolli.

Ai shton se me pjesëmarrjen minimale të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partitë opozitare kanë humbur një mundësi të rrallë që, me praninë e tyre të plotë dhe vota kundër, ta rrëzonin mocionin lidhur me propozimin për votimin e fshehtë.

“Për qartësi, për propozimin e kryesuesit Dehari – ndonëse jokushtetues – parashihet votim me shumicë të thjeshtë. Pra, mjafton të marrin pjesë të paktën 61 deputetë dhe ‘për’ të votojnë shumica e tyre,” thekson ai duke sqaruar pse opozita ka zgjedhur të mos marrë pjesë fare në votim.

Sipas tij, përfshirja në votim nga partitë opozitare do t’i siguronte Vetëvendosjes kuorumin minimal duke qenë se kjo e fundit zakonisht ka më shumë vota “pro” sesa forcat tjera parlamentare.

Dështimi i radhës në këtë proces e vë në pikëpyetje serioze funksionimin e institucioneve demokratike dhe tregon mungesën e një vullneti të sinqertë për zgjidhjen e krizës institucionale. Debati për mënyrën e votimit dhe sjelljen e kryesuesit mbetet një nga çështjet kyçe që po pengon përparimin në konstitutivin e Kuvendit. /Kosova.info/


Go to TOP