Krasniqi: Gjykata Kushtetuese nuk ndalon votimin e fshehtë – mos u mashtroni nga interpretimet e ngarkuara
Gazetari Besnik Krasniqi ka reaguar ndaj debatit publik dhe interpretimeve të ndryshme rreth vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me votimin në Kuvend duke kritikuar qëndrimet e 52 organizatave dhe individëve që, sipas tij, po e shtrembërojnë qëllimisht mesazhin e aktgjykimit.
“Shkurt e shqip: Gjykata nuk është përgjigjur troç në pyetjen nëse është kushtetues votimi i fshehtë,” tha Krasniqi duke theksuar se në aktgjykimin e ri, vetë Gjykata i është referuar një paragrafi të mëhershëm, i cili qartësisht e njeh si të vlefshëm votimin e fshehtë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e interpretimeve të individëve me “ngarkesë politike, emocionale apo institucionale”, dhe që të lexojnë vetë aktgjykimet.
“Lexojeni paragrafin 128 të Aktgjykimit në rastin KO119/14 – aty thuhet qartë se deputetët mund të votojnë ‘në mënyrë të hapur ose të fshehtë’ dhe nuk mund të lirohen nga kjo përgjegjësi,” tha ai.
Krasniqi përfundoi duke theksuar se paragrafi në fjalë nuk lë hapësirë për manipulime apo keqinterpretime, as nga analistë, juristë apo përfaqësues të shoqërisë civile duke apeluar për një lexim të drejtë dhe të pavarur të vendimeve kushtetuese. /Kosova.info/
