Syla pas daljes nga paraburgimi: Nuk kam ushtruar dhunë, politika po gjykon edhe zënkat e dashnisë

Gazetari dhe analisti Valon Syla ka reaguar publikisht pas daljes nga paraburgimi 48-orësh duke hedhur poshtë akuzat për dhunë ndaj partneres së tij dhe duke theksuar se rasti është keqinterpretuar si pasojë e presionit politik dhe publik.

“Sapo dola nga 2 ditë arrest, dhe u këndella me ju shkru juve që më keni shkruar dhe keni raportuar,” shkruan Syla në një postim të gjatë, ku sqaron se ngjarja nuk ka qenë një rast dhune fizike siç është perceptuar, por një debat dhe “përplasje nervoze” në një moment tensioni. “Ky rast nuk ka të bëj me boksa e shkelma apo rrahje… më shumë ishte një fjalosje apo përlamje me ngrehje krahu”, sqaroi ai duke i kërkuar falje të dashurës së tij, familjes së saj dhe të tijës, veçanërisht nënave.

Syla tregoi se fillimisht ishte liruar nga policia në mëngjesin e së njëjtës ditë, por më vonë, pa ndonjë fakt të ri, ishte rikthyer në ndalim me urdhër të prokurorisë. Ai e cilësoi këtë si një masë të nxitur nga presioni politik dhe përmendi reagimin e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dëshmi të ndërhyrjes së politikës në sistemin e drejtësisë.

“Politika dëshiron të na i zgjedh edhe zënkat e dashnisë dhe të kujdeset për ne për burg, pa dëshirën e të dashurve tanë,” tha ai duke theksuar se nuk ka qenë kurrë person i dhunshëm dhe se as në shkollë nuk ka pasur përplasje fizike me askënd.

Ai përfundoi duke theksuar se ka besim në drejtësi dhe se do t’i sqarojë të gjitha detajet në ditët në vijim në media. “Ju kërkoj falje që menduat se mund të kem rrahur dikë. Zoti na ruajt njerin ma të dashur timin,” përmbylli Syla reagimin e tij. /Kosova.info/

Go to TOP