Kosova ndalon përkohësisht importin e gjedheve dhe lëkurave nga Lombardia pas shpërthimit të sëmundjes LSD
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka vendosur masën e ndalimit të përkohshëm të importit të gjedheve dhe nënprodukteve të tyre (lëkurave) nga rajoni i Lombardisë në Itali, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes Gungore të Lëkurës (Lumpy Skin Disease – LSD) në këtë zonë.
Ky vendim është marrë në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, dhe bazuar në raportet e fundit të Autoritetit të Veterinarisë dhe Shëndetit të Kafshëve në Itali (ADIS) si dhe të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në territorin e Kosovës.
AUV ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse të kontrollit kufitar që të zbatojnë me përpikëri ndalesën, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë bujqësore në vend.
Sëmundja Gungore e Lëkurës është një sëmundje virale që prek vetëm kafshët e llojit gjedh (lopë dhe buallica), dhe karakterizohet nga shfaqja e gungave në lëkurë. Transmetohet përmes insekteve pickuese, të cilat janë më aktive gjatë pranverës së vonshme, verës dhe vjeshtës së hershme.
Megjithatë, sëmundja nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, pasi nuk transmetohet te njerëzit.
AUV ka theksuar se kapacitetet për menaxhimin e situatës janë të përgatitura, duke kujtuar se kjo sëmundje ishte identifikuar për herë të parë në Kosovë në vitin 2016. Që nga ajo kohë, autoriteti ka ruajtur kapacitetet e reagimit dhe është i azhurnuar me metodat më efektive për luftimin e saj.
Aktualisht, nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm për përhapje të sëmundjes në Kosovë, por institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë monitorimin aktiv të situatës në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare. /Kosova.info/
