Yll Kadriu certifikohet me nivelin më të lartë botëror nga FIVB

Trajneri i njohur i volejbollit, Yll Kadriu, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u certifikuar zyrtarisht me FIVB Level 3, niveli më i lartë ndërkombëtar në trajnimet e Federatës Botërore të Volejbollit (FIVB).

Kjo arritje prestigjioze vjen pas 19 vitesh punë të palodhshme, përkushtimi dhe sakrifice duke e bërë Kadriun një nga emrat më të vlerësuar në komunitetin ndërkombëtar të volejbollit.

“Në këtë rrugëtim nuk ka munguar asnjëherë mbështetja. Faleminderit të gjithëve për besimin, veçanërisht familjes sime, e cila e di më së miri që prioriteti im në jetë ka qenë dhe mbetet volejbolli,” ka deklaruar Kadriu.

Ai gjithashtu ka falënderuar kolegët nga mbarë bota për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë këtij kursi intensiv duke theksuar se përvoja ndërkombëtare ka qenë sfiduese, por thellësisht e vlefshme.

Certifikimi FIVB Level 3 i hap Kadriut dyer të reja për angazhime të nivelit më të lartë në arenën ndërkombëtare të volejbollit duke e përfaqësuar me krenari edhe vendin e tij në sportin elitar botëror. /Kosova.info/


Go to TOP