SPAK kundër zbatimit selektiv të ligjeve për zyrtarët publikë: Paralajmëron masa ligjore ndaj presioneve institucionale
Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën e zbatimit të Ligjit Nr. 08/L-197 dhe Ligjit Nr. 08/L-294 për Zyrtarët Publikë, pas vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese që, sipas saj, krijojnë standarde të dyfishta dhe paqartësi në praktikë.
Në një reagim zyrtar të nënshkruar nga kryetari Ali Gashi, SPAK thekson se vendimet KO222/24 dhe KO224/24 bien ndesh me qëndrimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese në rastet KO216/22 dhe KO220/22, ku transformimi i marrëdhënieve të punës nga afat i pacaktuar në afat të caktuar ishte vlerësuar si cenim i të drejtave të fituara.
“Ky ndryshim drastik në qëndrim jo vetëm që minon sigurinë juridike dhe besimin e shërbyesve civilë, por edhe krijon bazë për abuzime në zbatimin e ligjit në praktikë”, thuhet në deklaratën e SPAK-ut.
Sindikatat kërkojnë që të ndalet çdo veprim që prek statusin e zyrtarëve publikë derisa të hartohen dhe të miratohen udhëzimet administrative dhe rregulloret e brendshme, të cilat janë esenciale për një zbatim të drejtë dhe të ligjshëm të ligjit.
SPAK i bën thirrje institucioneve qendrore dhe lokale të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos ushtrojnë presion ndaj zyrtarëve – veçanërisht atyre në pozita drejtuese të mesme dhe të ulëta – për të nënshkruar aktemërime të reja pa bazë të konsoliduar ligjore. Sipas SPAK-ut, çdo tendencë e tillë do të dokumentohet dhe do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale në dispozicion.
Përmes këtij apeli publik, SPAK kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga Presidentja e Republikës, Kuvendi i Kosovës, Qeveria dhe Avokati i Popullit për:
1. Ndalimin e zbatimit të aktemërimeve të reja që prekin statusin e zyrtarëve publikë;
2. Shmangien e presioneve ndaj zyrtarëve për të nënshkruar vendime të diskutueshme ligjërisht;
3. Garantimin e sigurisë juridike dhe transparencës në procesin e reformimit të shërbimit civil, me përfshirjen e sindikatave dhe respektimin e standardeve evropiane të administratës publike.
“SPAK nuk do të qëndrojë i heshtur përballë shkeljeve të tilla dhe do të mbrojë gjithmonë interesin e punonjësve publikë dhe të vetë shtetit ligjor”, përfundon reagimi i kryetarit Ali Gashi. /Kosova.info/
