OAK reagon ndaj mohimit të së drejtës për kopje të deklaratës: Nuk angazhojmë më avokatë aty ku shkelet ligji

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka reaguar sot ndaj disa rasteve të përsëritura në praktikë, ku avokatëve u mohohet në mënyrë arbitrare e drejta për të marrë kopjen e deklaratës së klientit të tyre – të dyshuar apo të pandehur – gjatë procedurave hetimore apo parahetimore të Policisë.

Në një komunikatë të nënshkruar nga kryetari i OAK, Besnik R. Berisha, dhe nënkryetari Naim Rudari, thuhet se ndonëse këto raste nuk janë të shumta në numër, ato janë evidente dhe përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 170, paragrafi 4 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

“OAK ka vendosur që në çdo rast kur kjo e drejtë ligjore u mohohet avokatëve, nuk do të angazhojë më avokat sipas detyrës zyrtare, bazuar në thirrjet e zyrtarëve apo prokurorëve që shkelin këtë të drejtë themelore. Kjo sjellje cenon parimet e mbrojtjes dhe liritë kushtetuese të qytetarit që ne përfaqësojmë,” thuhet në reagim.

OAK ka ftuar të gjithë avokatët që të raportojnë pranë saj çdo rast ku u mohohet kjo apo ndonjë tjetër e drejtë ligjore, si dhe çdo situatë ku nuk trajtohen me respektin dhe dinjitetin që kërkon funksioni i tyre kushtetues.

Në të njëjtën kohë, OAK apelon për sjellje profesionale, bashkëpunuese dhe të rregullt nga ana e vetë avokatëve ndaj të gjithë zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë duke vepruar në përputhje me Kodin e Etikës dhe standardet më të larta të ushtrimit të profesionit.

“Oda mbetet e përkushtuar të adresojë dhe luftojë çdo dukuri negative brenda sistemit të drejtësisë dhe vetë avokatisë, me qëllim të ofrimit të një shërbimi cilësor, të pavarur dhe në respektim të plotë të të drejtave kushtetuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës,” përfundon njoftimi. /Kosova.info/

Go to TOP