Prishtina Pride dorëzon kallëzim penal për gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTIQ+

Grupi organizativ i Prishtina Pride, i përbërë nga organizatat CSGD, CEL Kosova, YIHR KS, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Civil Rights Defenders, ka dorëzuar një kallëzim penal në stacionin policor të Prishtinës ndaj shtetasit D.R.

Sipas njoftimit zyrtar, kallëzimi penal është bërë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit, pas shpërndarjes së një materiali audioviziv në platformën Twitch me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes kundër komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.

“Ky akt nuk përbën vetëm një shkelje të ligjit, por paraqet edhe një rrezik serioz për sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e anëtarëve të komunitetit LGBTIQ+,” thuhet në reagimin e përbashkët të organizatave.

Grupi organizativ thekson se përhapja e urrejtjes dhe kërcënimi i sigurisë së këtij komuniteti nuk mund të tolerohen dhe kërkon që autorët të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

“Vetëm përmes zbatimit të drejtë të ligjit mund të ndërtojmë një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët, pa dallim,” përfundon reagimi. /Kosova.info/

Go to TOP