Pas sulmit ndaj Iranit, rikthehet `teoria e picave` në Pentagon

Një rritje e papritur e porosive për pica pranë Pentagonit është rikthyer si një “sinjal paralajmërues” për zhvillime të mëdha ushtarake. “The Pentagon Pizza Report”, një llogari në rrjetin social X (ish-Twitter) që ka fituar vëmendje për parashikimet e saj lidhur me sulmet e Izraelit ndaj Iranit më 12 qershor, raportoi një fluks të shtuar aktiviteti në piceritë pranë selisë së mbrojtjes amerikane. Kjo rritje u regjistrua brenda një ore pas nisjes së goditjeve nga SHBA ndaj qendrave bërthamore iraniane, të shtunën në mbrëmje.

Presidenti Donald Trump e konfirmoi operacionin përmes një postimi në Truth Social, ku deklaroi se ushtria amerikane kishte kryer sulme ndaj tri qendrave bërthamore në Iran: Fordow, Natanz dhe Isfahan.

“Një ngarkesë e plotë me bomba u hodh mbi objektivin kryesor, Fordow. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje” shkroi Trump.

Vetëm pak para këtij njoftimi, “The Pentagon Pizza Report” kishte publikuar një paralajmërim: “Po raportohet AKTIVITET I LARTË në Papa John’s-in më të afërt me Pentagonin.” Sipas llogarisë, edhe Freddie’s Beach Bar, një lokal dhe bar i njohur në zonë që në raste të tjera ka reflektuar ritmin e përgatitjeve ushtarake, këtë radhë raportonte aktivitet të ulët të pazakontë për një mbrëmje të së shtunës. “Tregues klasik për orë shtesë pune në Pentagon,” ishte komenti i llogarisë në postim.

Pasi Trump publikoi njoftimin zyrtar për goditjet në Iran, llogaria reagoi me një mesazh të thjeshtë që pasqyronte fjalët e presidentit: “Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”.

Rreth gjysmë ore përpara fjalimit të Trump drejtuar kombit, u vu re një “rritje MASIVE trafiku” në Domino’s-in më të afërt me bazën ajrore MacDill në Florida, ku ndodhet Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM).

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:36 me orën lindore. Gjatë fjalimit të tij, presidenti paralajmëroi zyrtarët iranianë se sulme të tjera do të pasonin “nëse nuk bëjnë paqe”.

Historia e picave dhe luftës, një tregues i pazakontë

Nuk është hera e parë që porositë për pica lidhen me zhvillime të mëdha ushtarake amerikane.

Rasti më i hershëm i dokumentuar i një rritjeje të ndjeshme të porosive pranë Pentagonit daton në tetor të vitit 1983, një natë para pushtimit të Grenadës nga administrata e presidentit Reagan. Në ato mbrëmje, porositë pothuajse u dyfishuan në krahasim me mesataren.

E njëjta situatë u përsërit në dhjetor të vitit 1989, përpara Operacionit “Just Cause”, pushtimit të Panamasë nga SHBA-të. Që atëherë, gazetarët dhe analistët kanë filluar të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme çdo shenjë të aktivitetit të pazakontë në mbrëmje dhe gjatë natës pranë Pentagonit — përfshirë porositë e picave dhe lëvizjet në lokalet përreth.

Frank Meeks, një sipërmarrës që zotëronte rreth 60 lokale të Domino’s Pizza në zonën e Uashingtonit, deklaroi se kishte parë një rritje të ndjeshme të porosive në gusht të vitit 1990, pak para se Iraku të pushtonte Kuvajtin. Kësaj here, porositë nuk shkonin drejt Pentagonit, por drejt selisë së CIA-s në Langley, Virxhinia, raporton FOX News.

Vetëm gjashtë muaj më vonë, gjatë përgatitjeve për luftën në Irak, u regjistrua një rritje e dukshme e porosive gjatë natës në Pentagon. Ky trend u përsërit edhe në vitin 1998 gjatë luftës në Kosovë.

Gazetari i njohur i CNN, Wolf Blitzer, dikur korrespondent në Pentagon, kishte deklaruar me ironi: “Për gazetarët, mesazhi është i qartë – gjithmonë monitoroni picat.”


Go to TOP