Parandalohet kontrabandë me cigare në Aeroportin e Prishtinës

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një tentim-kontrabandë gjatë kontrolleve të rregullta në pikën doganore të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas njoftimit zyrtar, nga Dogana një shtetase e huaj është kapur duke transportuar në mënyrë të paligjshme 100 steka cigare me banderola të Shqipërisë, të cilat ishin fshehur në dy bagazhe personale.

“Malli i kontrabanduar është konfiskuar dhe plumbuar sipas procedurave standarde, ndërsa është vendosur në depo për trajtim të mëtejmë ligjor në kuadër të procedurës së kundërvajtjes”, thuhet në njoftimin.

Ndaj të dyshuarës janë ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesit shtetëror, forcimin e kontrolleve kufitare dhe në parandalimin e veprimtarive të paligjshme që cenojnë ekonominë dhe sigurinë publike. /Kosova.info/

Go to TOP