Bajrami kritikon ashpër Muratin: Mos u merr me shtet-formuesit, trego për mafien energjetike
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe për heshtje ndaj krizës energjetike që, sipas saj, po pasuron një rrjet të ngushtë kompanish, ndërsa po e varfëron popullin dhe bizneset vendore.
“Ti deputet që je në shkelje të vazhdueshme të Nenit 72 të Kushtetutës mos u merr me shtet-formuesit, se s’është kjo punë për ty,” shkroi Bajrami duke e sfiduar Muratin të japë llogari për mënyrën se si po menaxhohet sektori i energjisë në Kosovë.
Ajo renditi një varg akuzash dhe pyetjesh direkte për Muratin, përfshirë:
Si është e mundur që kompania NOA, që tregton energji, u bë kompania e tretë për nga qarkullimi në vitin 2024, me plot 160 milionë euro?
Pse KEK-u vonohet me vite në riparimin e blloqeve të termocentraleve dhe askush nuk mban përgjegjësi?
Pse KEK-u shpalli një tender me vlerë 137 milionë euro për remontin e bllokut A3 pa asnjë studim fizibiliteti?
Si ndodhi që kompanitë NOA dhe EFT, e kontrolluar nga Vuk Hamoviq, të kontrollojnë tregun dhe të përfitojnë miliona, ndërsa qytetarët përballen me rritje çmimesh dhe 1300 biznese përjashtohen nga furnizimi universal?
Çfarë përformance po japin njerëzit e vendosur nga qeveria në ZRRE dhe KOSTT?
Bajrami përmbylli reagimin e saj me një mesazh të qartë: “Tregona kush po fiton se qytetarët dhe bizneset po paguajnë për këto fitime. Kur të përgjigjesh për këto, atëherë ndoshta mund të flasësh edhe për të tjerët.” /Kosova.info/
