AUV paralajmëron fermerët në zonat kufitare: Rrezik nga shpërthimi i sëmundjes PPR
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka bërë një thirrje urgjente për kujdes të shtuar ndaj fermerëve në zonat kufitare me Shqipërinë, pas shpërthimit të sëmundjes PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa rajone të Shqipërisë.
Në një njoftim zyrtar, AUV ka kërkuar që të ndërmerren masa parandaluese për të shmangur përhapjen e kësaj sëmundjeje ngjitëse dhe potencialisht shkatërruese për tufat e dhenve dhe dhive në territorin e Kosovës.
Fermerëve u kërkohet që:
Të shmangin çdo kontakt të drejtpërdrejtë të deleve dhe dhive me kafshë të ardhura nga territori i Shqipërisë;
Të mbajnë kafshët nën vëzhgim të rregullt dhe të monitoruara;
Të raportojnë menjëherë te veterineri zyrtar çdo shenjë të dyshimtë, përfshirë ethe të larta, plagë në gojë, rrjedhje nga hundët ose sytë, si dhe dobësi të përgjithshme;
Të mos lejojnë futjen e kafshëve të tjera në tufat ekzistuese.
AUV thekson se këto masa janë thelbësore për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në Kosovë dhe për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe sigurinë ekonomike të fermerëve.
PPR është një sëmundje virale që prek vetëm dhen dhe dhi, me shkallë të lartë ngjitjeje dhe vdekshmërie, dhe çdo rast i dyshuar kërkon reagim të menjëhershëm nga autoritetet veterinare. AUV ka konfirmuar se është në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet e Shqipërisë dhe është duke monitoruar situatën nga afër. /Kosova.info/
