Krasniqi: Kosova duhet të braktisë Planin Franko-Gjerman dhe të rikthehet te Marrëveshja e Uashingtonit

Profesori dhe analisti politik, Milazim Krasniqi, ka komentuar deklaratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump për marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe çështjen e Kosovës dhe Serbisë duke theksuar se kjo deklaratë nuk mund të merret si tregues se ai do të angazhohet shpejt në këtë proces.

Sipas Krasniqit, përmendja e Kosovës nga Trump ishte në funksion të lavdërimit të vetes dhe kritikës ndaj administratës Biden, ndërsa çdo angazhim i mundshëm në të ardhmen duhet parë me rezervë dhe përgatitje nga pala kosovare.

“Kosova duhet të përgatitet për atë moment. Interesi i saj është që të gjejë mënyrën më elegante për t’u tërhequr nga Plani Franko-Gjerman dhe Aneksi i Ohrit, të cilat janë tepër të dëmshme”, tha Krasniqi duke shprehur habinë se si kryeministri Albin Kurti pranoi këto dokumente që, sipas tij, janë më të rënda sesa Marrëveshja e Brukselit e vitit 2015 apo ajo e Uashingtonit e vitit 2020.

Ai thekson se Kosova duhet të përpiqet të kthejë negociatat te Marrëveshja e Uashingtonit, e cila mund të pasurohet edhe me një dimension politik, dhe kjo qasje mund të jetë më e pranueshme për një administratë të mundshme të Trump.

Krasniqi ngre dyshime nëse Kurti është i aftë të bëjë një kthesë të tillë politike. “Nëse nuk ka fituar asnjë gram pragmatizmi në këto pesë vite, nuk do të arrijë ta bëjë këtë transformim”, shton ai duke kritikuar reagimin e fundit të Kurtit ndaj deklaratës së Trump si “dëshpërues dhe joserioz”, pasi e ka reduktuar çështjen vetëm te dorëzimi i Milan Radojçiqit.

Ai shtron edhe një dilemë të hapur për të ardhmen: “A ka ndonjë alternativë tjetër për ta udhëhequr këtë proces shpëtimtar, për t’u larguar nga Plani Franko-Gjerman dhe për t’u rikthyer te Marrëveshja e Uashingtonit?”.

Krasniqi përfundon se në kushtet e tanishme, me bllokimin e formimit të institucioneve nga LVV dhe mospajtimet brenda opozitës, zgjidhja më e arsyeshme mbetet shkuarja në zgjedhje të reja, për t’ia kaluar përgjegjësinë votuesit. /Kosova.info/

Go to TOP