Kosova u bën thirrje palëve në konfliktin Izrael-Iran për përmbajtje dhe zgjidhje diplomatike
Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit duke shprehur shqetësim për situatën e krijuar dhe duke kërkuar përmbajtje nga të gjitha palët e përfshira. Në një deklaratë zyrtare, theksohet domosdoshmëria për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon.
“Kosova beson fuqishëm se zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe për të parandaluar pasoja më të gjera rajonale e globale”, thuhet në deklaratë.
Qeveria ka ngritur shqetësime lidhur me veprimet e Iranit duke përmendur konstatimet e fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), e cila ka njoftuar se Irani nuk po i përmbush detyrimet për mospërhapjen e armëve bërthamore. “Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe t’i përmbahet detyrimeve ndaj IAEA-së”, thuhet më tej.
Duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së jetës së civilëve në çdo rrethanë, Kosova u bën thirrje qytetarëve të saj që ndodhen apo kanë kontakte në rajon, të ushtrojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e MPJD-së dhe të autoriteteve vendore.
Në fund, Kosova shpreh solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga kjo situatë dhe rikonfirmon përkushtimin ndaj paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare duke paralajmëruar se përshkallëzimi i dhunës rrezikon jo vetëm tragjedi njerëzore, por edhe paqëndrueshmëri globale në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë. /Kosova.info/
