KEK sqaron detyrimin ligjor për furnizim energjie

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dhënë një sqarim për opinionin publik lidhur me furnizimin me energji elektrike, pas takimit të fundit me përfaqësues të bizneseve nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Aleanca e Biznesit, Klubi i Biznesit dhe Shoqata e Prodhuesve brenda OEK.

Në këtë takim, KEK ka theksuar se, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka obligim ligjor që të furnizojë konsumatorët për një periudhë maksimale deri në 60 ditë si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF).

Në këtë kontekst, KEK ka sqaruar se ky furnizim është një detyrim i përkohshëm dhe nuk përbën një garanci afatgjate për vazhdimësi të furnizimit, siç është edhe përcaktuar me ligj.

Po ashtu, nga data 1 qershor 2025, sipas rregullores së ZRRE dhe legjislacionit në fuqi, ka nisur automatikisht furnizimi me energji për konsumatorët që ende nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e lirë, të cilët janë shkyqur nga KESCO si Furnizues Shpërndarës të Shërbimit Universal (FSHU).

KEK ka bërë thirrje për bashkëpunim me përfaqësuesit e bizneseve, duke i inkurajuar ata që t’u bëjnë thirrje anëtarëve të tyre për nënshkrimin sa më të shpejtë të kontratave me KEK-un si FMF, në mënyrë që procesi të zhvillohet pa ndërprerje dhe në përputhje me kornizën ligjore.


Go to TOP