LDK bën homazhe për Dr. Bujar Bukoshin: Kryeministri i Lirisë, burrështetasi i kohëve të vështira
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka bërë sot homazhe në nderim të jetës dhe veprës së kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës në mërgim, Dr. Bujar Bukoshi.
Gjatë homazheve, Abdixhiku e përkujtoi Bukoshin si një figurë historike me kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin shtetformues të Kosovës. “Sot po bëjmë homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e njërit prej patriotëve të vendit, që e deshi Kosovën jo vetëm me fjalë, por me vepër,” tha ai.
Abdixhiku theksoi se Dr. Bujar Bukoshi ishte jo vetëm një lider politik në periudha të turbullta, por edhe një mjek, intelektual dhe vizionar, i cili kontribuoi pa u lodhur për ëndrrën e shtetësisë së Kosovës. “Ai ishte emër i përveçëm në një kohë të shquar,” u shpreh ai.
“Kosova do ta kujtojë gjithmonë si Kryeministrin e Lirisë. LDK do ta kujtojë gjithmonë si bashkëthemeluesin e shpirtit të saj politik. Historia do ta njohë si burrështetasin e kohëve të vështira. Dhe ne do ta kujtojmë përherë si njeriun që na mësoi se shërbimi është forma më e lartë e atdhedashurisë,” përfundoi Abdixhiku.
LDK dhe Abdixhiku i kanë shprehur mirënjohje të përjetshme Dr. Bukoshit duke e vlerësuar atë si një nga figurat kyçe në historinë moderne të shtetit të Kosovës. /Kosova.info/
