Bajrami: Zgjidhja e ngërçit politik përmes një Qeverie kalimtare
Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, bashkë me Sekretarin e partisë, Imri Ahmeti, kanë pritur sot përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar rreth krizës aktuale politike dhe mundësive për tejkalimin e saj.
Në këtë takim, përfaqësuesit e LDK-së kanë theksuar se përgjegjësia për konstituivin e Kuvendit i takon partisë së parë dhe se vonesat në këtë proces po thellojnë bllokadën institucionale.
“Edhe në këtë takim kemi treguar që është në dorën e partisë së parë ta bëj konstituivin e Kuvendit. Për më tepër, kemi përsëritur qëndrimin tonë për zgjidhjen e bllokadës përmes propozimit tonë për Qeveri kalimtare”, deklaroi Bajrami.
Sipas saj, ky propozim është një alternativë e nevojshme në situatën kur partia fituese nuk arrin të sigurojë shumicën për themelimin e institucioneve, ndërsa edhe partitë opozitare nuk i kanë numrat për të formuar qeverinë.
“Kosovës i duhet një Qeveri kalimtare me detyra të qarta për të përgatitur vendin për zgjedhje, brenda një periudhe të dakorduar mes partive politike”, shtoi ajo.
Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e LDK-së falënderuan shoqërinë civile për kontributin dhe përpjekjet e vazhdueshme në ofrimin e zgjidhjeve për situatat politike në vend. /Kosova.info/
