Krasniqi: Dr. Bujar Bukoshi, figurë kyçe e pavarësisë – vlerësimi i plotë do të vijë me hapjen e arkivave

Njëri nga themeluesit e LDK-së, Milazim Krasniqi ka ndarë reflektimin e tij pas tubimit përkujtimor të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në nderim të ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës në ekzil, Dr. Bujar Bukoshit.

Krasniqi vlerësoi lart organizimin e tubimit të sotëm duke përmendur fjalën korrekte të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, tekstin emocional të Dr. Abdyl Krasniqit dhe ekzekutimin drithërues të këngëtares Lule Elezi, mbesës së Dr. Bukoshit.

“Tubimi ishte i organizuar shumë mirë. Fjala e Lumirit ishte korrekte, teksti i Abdylit plot emocione, ndërsa ekzekutimi i mbesës së Bukoshit ishte drithërues,” u shpreh ai.

Megjithatë, Krasniqi theksoi se vlerësimi për figurën e Dr. Bukoshit duhet të jetë më i thelluar dhe historikisht i drejtë. Ai shtoi se shumë nga kontributet e tij si kryeministër në ekzil nuk janë ende të njohura për publikun e gjerë, përfshirë periudhën e viteve të ’90-ta, kur përmes qeverisë së tij janë ndihmuar me mijëra familje shqiptare të mbijetojnë brenda Kosovës.

“Pesha e vërtetë e punës së tij, me meritat dhe gabimet që janë të paevitueshme në atë nivel dhe në ato kushte, do të kuptohet vetëm kur të hapen arkivat e shumtë të shteteve aleate të Kosovës dhe të armiqve të saj,” shkroi ai duke shtuar se vlerësimi për Bukoshin nuk mund të bëhet mbi baza fragmentare apo mbresa personale.

Ai rikujtoi se Dr. Bukoshi ishte pjesë e delegacionit të përbashkët të Kosovës në Konferencën e Rambujesë – një moment kyç që çoi drejt ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

“Ajo është pika kulmore e politikës sonë në momentin vendimtar,” theksoi Krasniqi.

Krasniqi kujtoi gjithashtu takimet e tij personale me Dr. Bukoshin në Qerret disa vite më parë, ku, sipas tij, doli në pah se shumë prej aktiviteteve të tij nuk janë dokumentuar publikisht. Ai pranoi se në vitet 1998-1999 kishte njohuri të detajuara për versionin politik të Ibrahim Rugovës, por jo edhe të Bukoshit duke e konsideruar këtë si një boshllëk në kuptimin e plotë të historisë politike të asaj kohe.

Në fund, ai theksoi: “Mirënjohja jonë si popull për të dhe për qeverinë e tij do të duhej të ishte shumë e madhe, qoftë edhe vetëm për kontributin në mbijetesën e qytetarëve tanë gjatë viteve më të vështira.” /Kosova.info/

Go to TOP