Varrimi i ish-kryeministrit Bukoshi nën patronatin e Kurtit

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën janë miratuar disa vendime me rëndësi institucionale dhe ndërkombëtare.

Së pari, është themeluar Këshilli Organizativ për varrimin e ish-kryeministrit Bujar Bukoshi. Nën patronatin e Kryeministrit në detyrë, ky këshill do të organizojë ceremoninë mortore që përfshin mbledhjen komemorative që do të mbahet nesër, homazhet në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe bartjen e arkivolit nga Forcat e Sigurisë të Kosovës për në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani. Brenda këtij vendimi, Familjes Bukoshi do t’i ndahen edhe 10,000 euro në mbështetje të ceremonisë.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria në detyrë miratoi vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Departamenti i Mbrojtjes.

Gjithashtu, u miratua vendimi për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për pesëdhjetë (50) persona, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-ve. Personat që janë subjekt i këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat që parashihen në të.

Këto vendime përforcojnë angazhimin institucional për nderimin e figurave shtetformuese, avancimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së përkohshme. /Kosova.info/

Go to TOP