LBK paralajmëron krizë të thellë ekonomike nga liberalizimi i parakohshëm i tregut të energjisë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësim të thellë për pasojat e liberalizimit të parakohshëm të tregut të energjisë elektrike në Kosovë. Sipas LBK-së, ky proces po zbatohet në kushte jo të përshtatshme dhe pa përgatitjen e duhur të tregut duke shkaktuar dëm të madh për bizneset lokale dhe duke rrezikuar falimentimin e tyre si dhe humbjen masive të vendeve të punës.

LBK paralajmëron se kjo është vetëm fillimi i një krize të madhe që mund të përhapet në të gjithë sektorin privat duke minuar eksportet “Made in Kosova” dhe duke dëmtuar praninë e produkteve tona në tregjet ndërkombëtare, sidomos ato evropiane. Po ashtu, ky skenar pritet të ndikojë negativisht në renien e eksportit dhe zvogëlimin e interesit të investitorëve të huaj, për shkak të kostove të larta të energjisë dhe klimës së pasigurt ekonomike.

Lidhja e Bizneseve i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që të ndalojë menjëherë procesin e liberalizimit derisa të krijohen kushtet e nevojshme për një treg funksional dhe konkurrues. LBK kërkon që implementimi i liberalizimit të shtyhet së paku për një vit, në mënyrë që institucionet të kenë kohë të përgatiten dhe të shmangen pasojat negative në ekonomi dhe shoqëri.

Liberalizimi i tregut energjetik është i domosdoshëm për integrimin rajonal dhe evropian, por duhet të menaxhohet me përgjegjësi, në mënyrë graduale dhe të koordinuar me sektorin privat, për të shmangur goditjet shkatërruese në ekonominë dhe stabilitetin social.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet në krah të biznesit dhe punëtorëve duke kërkuar zgjidhje reale dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e ekonomisë dhe të ardhmes së qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP