LBK kërkon shtyrjen urgjente të liberalizimit të tregut të energjisë: Pasojat janë tashmë të dukshme

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), si përfaqësuese e drejtpërdrejtë e komunitetit prodhues dhe tregtar në vend, ka ngritur sot alarmin për ndikimin e menjëhershëm dhe negativ që po shkakton procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Sipas LBK-së, përmes kontaktit të përditshëm me bizneset në të gjitha rajonet e Kosovës, po vërehet qartë se një pjesë e madhe e kompanive ende nuk janë të informuara apo të përgatitura për të përballuar ndryshimet që ka sjellë ky proces. “Prodhimi është në rënie, disa kompani kanë pezulluar operacionet, dhe rreziku për humbjen e tregjeve në Bashkimin Evropian është real. Kjo do të sjellë humbje të vendeve të punës dhe pasiguri afatgjate për gjithë ekonominë e vendit,” thuhet në reagimin e LBK-së.

Duke e konsideruar situatën si urgjente, LBK i kërkon Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të shtyjë zbatimin e plotë të liberalizimit për të paktën 1–2 vite. Qëllimi, sipas tyre, nuk është ndalja e reformave, por sigurimi i një tranzicioni të menaxhuar me përgjegjësi dhe në funksion të stabilitetit ekonomik të vendit.

“Situata nuk është e qëndrueshme – indikatorët tregojnë për një përkeqësim të klimës së të bërit biznes në Kosovë. Përveç krizës energjetike, nga 1 janari 2026, bizneset do të përballen edhe me rritjen drastike të tatimit në pronë, deri në 300%, një tjetër goditje për sektorin privat,” paralajmëron më tej deklarata.

LBK nënvizon se liberalizimi po zbatohet në mënyrë të gabuar, pasi mungon konkurrenca reale dhe një furnizues alternativ funksional. Ata thonë se nuk mund të quhet “treg i lirë” një sistem me vetëm një furnizues aktiv dhe çmime të papërballueshme për bizneset.

Në këtë kontekst, organizata kërkon nga shteti të marrë përgjegjësinë për të krijuar kushtet e duhura për një kalim të drejtë dhe të balancuar në treg të hapur, përfshirë masa mbrojtëse kalimtare dhe informim të drejtë për bizneset.

Në përkrahje të këtij qëndrimi, LBK sjell edhe deklaratat e fundit të publikuara në media nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, të cilët theksojnë se liberalizimi i tregut të energjisë duhet të jetë gradual, i menaxhuar mirë dhe i bazuar në kushte që minimizojnë pasojat sociale dhe ekonomike.

Në fund, LBK bën thirrje për veprim të menjëhershëm nga ZRRE dhe institucionet përkatëse:
“Procesi duhet të ndërpritet derisa të krijohet një treg funksional dhe konkurrues. Koha për veprim është tani – ndryshe, pasojat do të jenë të pakthyeshme për ekonominë e vendit.” /Kosova.info/


Go to TOP