Cakolli kundër mbajtjes së zgjedhjeve të dyfishta: Rrezik për demokracinë dhe përfaqësimin qytetar

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar ashpër idenë që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë duke e cilësuar këtë skenar si të papërgjegjshëm dhe me pasoja serioze për procesin demokratik në vend.

Sipas Cakollit, mbajtja e dy palë zgjedhjeve njëkohësisht do të rëndonte procesin zgjedhor përmes tri fletëvotimeve për çdo qytetar, me kandidatë në tri nivele të ndryshme, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur dhe ngarkesë të madhe për trupat menaxhuese të zgjedhjeve. Ai shtoi se kjo situatë do të krijonte paqartësi për votuesit duke rritur mundësinë për gabime teknike, vota të pavlefshme, kontestime dhe procese të stërzgjatura të rinumërimeve.

“Kjo nuk është një zgjidhje e arsyeshme, por një manovër politike për të dalë nga kriza e krijuar nga vetë partitë, sidomos partia e parë,” theksoi Cakolli. Ai paralajmëroi se ideja për të bashkuar zgjedhjet është përpjekje për të krijuar një rifillim artificial dhe për të justifikuar bashkëpunime të reja politike që aktualisht po refuzohen publikisht.

Cakolli përfundoi duke theksuar se zgjedhjet janë mjet i demokracisë, por nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar përgjegjësinë politike që partitë duhet ta marrin në bazë të mandatit që u është dhënë nga qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP