Hapet qendra e re e kompanisë Concentrix Ballkan në Mitrovicë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë hapëse të qendrës së re të kompanisë Concentrix Ballkan, në qytetin e Mitrovicës.
Në fjalën hyrëse të tij, kryeministri Kurti tha se kjo ngjarje është më tepër se sa zgjerim i operacioneve të një kompanie globale me renome në vendin tonë, sepse është një dëshmi e besimit në kapacitetet e qytetarëve tanë, në aftësitë e të rinjve tanë, dhe në drejtimin që ka marrë shteti ynë.
“Kompanitë si Concentrix sjellin vende pune dhe krijojnë mundësi të reja për të rinjtë dhe të rejat, të zhvillohen profesionalisht e të jenë pjesë e tregut global – pa pasur nevojë që të largohen nga vendi i tyre”, tha ai.
Në vijim, kryeministri tha se Kosova i ka mbi 2,000 kompani në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ku më shumë se 85% e tyre eksportojnë shërbimet e tyre, kryesisht në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në katër vitet e fundit, eksportet e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit janë rritur për 385% – gati pesëfishim, një dëshmi e qartë për potencialin që ka ky sektor.
“Këto janë shifra që flasin për një sektor pra, dinamik dhe konkurrues. Sipas raportit “Future of the IT” të Tech EmergingEurope Advocates, Kosova është e renditur e 11-ta në Evropën në zhvillim për konkurrueshmëri në teknologji të informacionit – dhe e para në Ballkanin Perëndimor.” u shpreh kryeministri.
Mes tjerash, kryeministri nënvizoi se Qeveria është e përkushtuar që të mbështesë rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse përmes trepikave kryesore: investimi në infrastrukturën digjitale; investimi në arsim dhe trajnim profesionale dhe ndarjen e bursave për studentët në fushat STEM. Përmendi dhe krijimin e hapësirave për zhvillim përmes platformave të inovacionit siç është Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren dhe TechPark Prishtina.
“Hapja e këtij lokacioni në Mitrovicë është investim në njerëzit tanë, në të ardhmen e qytetit, dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Jemi shumë mirënjohës për besimin që Concentrix ka treguar ndaj Kosovës, ndaj rinisë tonë dhe ndaj potencialit tonë për të qenë pjesë e ekonomisë globale. Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar për ta mbështetur më tej këtë sektor dhe për të krijuar edhe më shumë mundësi për të rinjtë, për qytetarët tanë, dhe për të ardhmen e vendit.” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti. /Kosova.info/
