Oda Amerikane kërkon pezullimin urgjent të liberalizimit të tregut të energjisë: Po rrezikohet stabiliteti ekonomik i Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur sot shqetësimin e saj të thellë lidhur me pasojat e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike duke i bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që ta ndalojë urgjentisht këtë proces, përderisa nuk janë përmbushur parakushtet thelbësore për një treg funksional dhe konkurrues.

Sipas Odës, paralajmërimet e mëhershme të përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet. Vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të liberalizimit, të paktën dy kompani prodhuese kanë pezulluar operacionet e tyre duke përmendur si arsye kryesore kostot e larta të energjisë dhe paqëndrueshmërinë që është krijuar në treg. Këto zhvillime, që janë bërë të njohura edhe për institucionet shtetërore, sipas Odës Amerikane, dëshmojnë se procesi është zbatuar në mënyrë të parakohshme dhe me pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë e vendit dhe klimën e investimeve.

“Liberalizimi është dhe mbetet një domosdoshmëri strategjike në rrugën e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe evropian në sektorin e energjisë, por ky tranzicion duhet të menaxhohet me përgjegjësi, transparencë dhe përgatitje të mirëfilltë nga të gjitha palët”, thuhet në reagimin e Odës Amerikane.

Duke iu referuar deklarimeve të fundit të atribuuar Bashkimit Evropian, Oda nënvizon se edhe partnerët ndërkombëtarë kanë theksuar se liberalizimi duhet të jetë një proces gradual dhe i menaxhuar me kujdes për të shmangur çrregullimet sociale dhe ekonomike.

Në reagimin e saj, Oda hodhi poshtë pretendimet e disa politikbërësve se kërkesat e bizneseve lidhen me nevojën për më shumë kohë për t’u përshtatur. Ajo theksoi se “nuk është konsumatori ai që duhet të përgatitet i pari, por vetë tregu” duke shtuar se një proces i nisur me vetëm një furnizues aktiv nuk krijon konkurrencë të mirëfilltë, por vetëm një reformë teorike e rrezikshme për stabilitetin ekonomik të vendit.

Në fund, Oda Amerikane i bëri thirrje ZRRE-së që të ndërmarrë veprime të menjëhershme korrigjuese duke pezulluar procesin e liberalizimit derisa të krijohet një treg energjetik funksional dhe konkurrues, si dhe të vendosen masa kalimtare mbështetëse për bizneset. /Kosova.info/


Go to TOP