Piraj kritikon ashpër ndërprerjet e rregullta të rrymës: Çmimi në tavan, përgjegjësia askund!

Afaristi i njohur nga Dragashi, Burim Piraj, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjeve të njëpasnjëshme të energjisë elektrike, të cilat po ndodhin në vend me arsyetimin e “punimeve të planifikuara”. Në një postim publik, ai ka shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e përgjegjësisë institucionale, teksa çmimi i energjisë vazhdon të mbetet në nivele të larta.

“Të shtunën nuk kemi pas energji elektrike 4 orë, me paralajmërimin:

‘Ju njoftojmë se me datë 31.05.2025 nga ora 11:30 deri në ora 15:30, do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të punimeve të planifikuara.’

Nesër prapë nuk do të kemi 5 orë, prapë me paralajmërimin:

‘Ju njoftojmë se me datë 04.06.2025 nga ora 10:00 deri në ora 15:00, do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të punimeve të planifikuara.’

Çmimi n’tavan, e përgjegjësia askund!”, ka shkruar Piraj.

Ai e ka cilësuar këtë situatë si një padrejtësi të madhe duke kërkuar ndërhyrjen e organeve të drejtësisë për të trajtuar problemet sistematike në menaxhimin e energjisë në Kosovë.

Piraj, i cili është edhe drejtues i kompanisë së njohur “Meka Halal Food”, ka qenë një kritik i rregullt i mënyrës se si po zhvillohet sektori energjetik në vend duke e cilësuar atë të dëmshëm për prodhuesit vendorë dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur shumë qytetarë e biznese në Kosovë po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë, ndërsa institucionet kompetente nuk ofrojnë zgjidhje konkrete apo përgjegjësi publike. /Kosova.info/


Go to TOP