Krasniqi: Përçarja dhe hakmarrja – plagët që po na kthejnë prapa

Profesori dhe publicisti Milazim Krasniqi ka vlerësuar se përçarja dhe hakmarrja kanë qenë dy nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare në Kosovë, të cilat sipas tij, historikisht u kanë shërbyer armiqve për të na sunduar më lehtë, veçanërisht sllavëve.

Në një reagim publik, Krasniqi përmend dy figura kyçe që, sipas tij, kanë luajtur rol shërues për këto plagë në periudhën e rëndësishme të viteve ’90: Ibrahim Rugova dhe Anton Çetta. Sipas tij, Rugova instaloi unitetin politik, ndërsa Çetta mundësoi pajtimin e gjerë mes shqiptarëve. Ai thekson se kjo periudhë e unitetit dhe e shmangies së dhunës së brendshme kulmoi në Konferencën e Rambujesë, ku u arrit përfaqësimi unik i shqiptarëve, gjë që më pas çoi në ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

“Fatkeqësisht, pas vitit 1999, përçarja dhe hakmarrja u rikthyen. Shoqëria ishte e dërrmuar dhe e traumatizuar nga gjenocidi serb, por edhe e mbushur me mllef për hakmarrje,” shkruan Krasniqi.

Ai thotë se Serbia ka shfrytëzuar këtë dobësi duke investuar në nxitjen e përçarjes dhe hakmarrjes mes shqiptarëve. Si rezultat të kësaj strategjie, ai përmend dy ngjarje të mëdha që, sipas tij, i kanë sjellë përfitime të konsiderueshme Serbisë: trazirat e marsit 2004 dhe themelimi i Gjykatës Speciale.

“Trazirat i shërbyen Serbisë në favor të Planit të Ahtisaarit, ndërsa Gjykata Speciale – ku me gjasë hakmarrja e brendshme është motivi kryesor – i ka dhënë shpresë Serbisë për ta delegjitimuar dhe, siç thotë Vuçiq, ndoshta edhe për ta ripushtuar Kosovën në ‘kohën e përshtatshme’,” përfundon ai. /Kosova.info/

Go to TOP