Murati: Rritja më e lartë historike e pagave në sektorin privat – Qeveria Kurti më miqësorja ndaj bizneseve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se paga mesatare në sektorin privat në vitin 2024 ka shënuar rritjen më të lartë historike në Kosovë. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare ka arritur në 598 euro bruto, që nënkupton një rritje prej 83 eurosh krahasuar me vitin paraprak.

Murati theksoi se vetëm rritja gjatë vitit 2024 tejkalon gjithsej rritjen e regjistruar gjatë shtatë viteve të qeverisjeve të kaluara, përfshirë periudhën Thaçi 2, Mustafa dhe Haradinaj, ku paga mesatare ishte rritur për vetëm 74 euro në periudhën 2012–2019.

“Në katër vjet të Qeverisë Kurti 2, paga mesatare në sektorin privat është rritur për 218 euro ose 57%, krahasuar me rritjen prej 22% gjatë shtatë viteve të mëparshme”, deklaroi Murati.

Ai renditi një sërë politikash që, sipas tij, kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë progres, përfshirë heqjen e pagesave për terminale private doganore, çmontimin e monopoleve, luftimin e korrupsionit, pagesat me kohë për operatorët ekonomikë dhe subvencionet për bizneset.

“Qeveria Kurti 2 ka qenë më e përkushtuara ndonjëherë për ta mbështetur sektorin privat. Kjo është dëshmia më e mirë se si një qeveri progresiste mund të ndikojë realisht në mirëqenien ekonomike të punëtorëve dhe bizneseve”, përfundoi Murati. /Kosova.info/


Go to TOP