KDI nis dialogun me partitë politike – takimi me Nismën Socialdemokrate synon zhbllokimin e institucioneve

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me përfaqësues të Nismës Socialdemokrate, në kuadër të përpjekjeve për të hapur një dialog gjithëpërfshirës ndërmjet spektrit politik dhe shoqërisë civile, me synim tejkalimin e ngërçit institucional që ka paralizuar funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga perspektiva e shoqërisë civile, mbajtja peng e institucioneve për shkak të mosmarrëveshjeve politike është e papranueshme duke dëmtuar interesin publik, funksionimin demokratik dhe besueshmërinë e shtetit në sytë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në takim u theksua nevoja për ndërtimin e konsensusit politik mbi baza të transparencës, përfshirjes dhe përgjegjësisë, si mënyra e vetme për të zhbllokuar institucionet dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në proceset demokratike dhe në Kuvendin si organ përfaqësues.

KDI konfirmoi se ky është vetëm hapi i parë në një seri takimesh që do të vijojnë me subjektet tjera politike, me synimin për të thelluar diskutimin dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme në funksion të stabilitetit institucional dhe të ardhmes demokratike të vendit. /Kosova.info/

Go to TOP