Kajtazi: Rasti i Saranda Bugujevcit me Daçiqin është keqinterpretuar, skandaloz është takimi i Nexhit me stërnipin e Pashiqit
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka reaguar lidhur me polemikat që u ngritën pas publikimit të një fotografie ku Saranda Bugujevci shfaqet pranë politikanit serb Ivica Daçiq. Kajtazi ka sqaruar se rasti nuk duhet të keqpërdoret, pasi sipas tij bëhet fjalë për një rrethanë specifike, në të cilën Bugujevci ka marrë pjesë në cilësinë e viktimës së luftës.
“Është organizuar një ekspozitë për krimet serbe në Beograd, ku Saranda ka qenë pjesëmarrëse si viktimë. Ndërsa Daçiqi ka qenë aty në kapacitetin e tij zyrtar. Kjo nuk është çështje politike, por protokolare dhe simbolike për drejtësi”, tha Kajtazi.
Ai thekson se vërtetë skandaloz është takimi i Nexhmedin Spahiut me Gjuiqin, stërnipin e Nikolla Pashiqit. “Nexhi nuk ndalet së akuzuari Enver Hoxhën si tradhtar për takimin me Miladinin, ndërkohë që harron se konteksti i atij takimi ishte krejtësisht tjetër: një bashkëpunim me një platformë zyrtare kundër politikave të Pashiqit dhe për barazinë e popujve në Ballkan”, shtoi ai.
Kajtazi ka kritikuar edhe raste të tjera të ngjashme duke përmendur fotografinë e Petrit Selimit me Ivica Daçiqin dhe një takim joformal të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një tavolinë në Tiranë me Marko Gjuriqin, ish-përfaqësuesin serb për Kosovën.
“Ky selektivitet politik është i rrezikshëm. Nuk mund të shpallim ‘tradhtarë’ ata që flasin për drejtësi, ndërsa heshtim për ata që takohen me ideologët e mohimit të krimeve dhe të shtypjes së popullit shqiptar”, përfundoi Kajtazi. /Kosova.info/
