Muharremi: Bizneset po përjashtohen nga energjia, po favorizohen kompani fantome – kërkohet Program Ekonomik prej 10 miliardë €

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë ai, përjashtimit të bizneseve esenciale të Kosovës nga qasja në energji, përmes reformave të papërgatitura dhe të zbatuara keq. Ai thekson se këto biznese, që punësojnë mbi 140 mijë qytetarë dhe përfaqësojnë afërsisht 50% të ekonomisë vendore, janë nën sulm institucional.

Sipas tij, ndërkohë që kompanitë e mëdha vendore përballen me barriera, “kompani fantome të tregtimit të energjisë” po përfitojnë dhjetëra milionë euro në vit. Muharremi alarmon për keqmenaxhimin e sektorit energjetik, rritjen e çmimeve dhe praktika të dyshimta të monopoleve e karteleve që po detyrojnë Kosovën të paguajë deri në 800 euro për megavat për bartjen e energjisë.

Ai kritikon institucionet publike për mosmbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe bizneseve duke paralajmëruar pasoja serioze për ekonominë e vendit nëse nuk ndalet kjo qasje anti-biznes.

Për të treguar mbështetje të drejtpërdrejtë, Muharremi thotë se sot ka blerë vaj nga prodhuesi vendor Floil për familjen e tij, si gjest simbolik i përkrahjes për bizneset vendore. Ai apelon që këto ndërmarrje “të shenjta” të mbështeten me një Program Reformash Ekonomike prej 10 miliardë eurosh, që do të reduktonte deficitin tregtar, do të fuqizonte prodhimin vendas dhe do të krijonte vende të qëndrueshme pune.

“Rrofshin bizneset tona që e ushqejnë dhe mbajnë mbi supe këtë shtet,” përfundon ai mesazhin e tij. /Kosova.info/


Go to TOP