Kadeti Enderon Vuthaj diplomon në Akademinë Ushtarake të Forcave Ajrore në ShBA
Kadeti Enderon Vuthaj nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka diplomuar me sukses në Akademinë Ushtarake të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si pjesë e gjeneratës 2025.
Për katër vite me radhë, Vuthaj ka ndjekur shkollimin profesional në një nga akademitë ushtarake më prestigjioze në botë, ku është përgatitur krah për krah me kadetë nga mbarë bota. Me këtë diplomim, ai i bashkohet radhëve të oficerëve të FSK-së, të cilët janë trajnuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Sipas njoftimeve zyrtare, kadeti Vuthaj do të japë kontributin e tij në avancimin dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së, duke ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Forca e Sigurisë së Kosovës po vijon të forcohet me kuadro të reja, të përgatitura në institucionet ushtarake më të njohura në botë, duke dëshmuar përkushtimin institucional për ndërtimin e një force profesionale dhe të besueshme. /Kosova.info/
