Avokati i Popullit: Pezullimi i shtesave për fëmijë shkel procedurat dhe diskriminon fëmijët e komunitetit serb
Avokati i Popullit ka publikuar një letër rekomandimi drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), në lidhje me pezullimin e pagesave të shtesës për fëmijë, pas hetimeve të nisura sipas detyrës zyrtare, për shkak të ankesave të shumta – kryesisht nga përfitues të komunitetit serb.
Sipas raportit, ankuesit kishin përfituar shtesën për fëmijë që nga shtatori 2021 deri në dhjetor 2024. Në periudhën gusht-dhjetor 2024, Departamenti i Skemave Sociale (DSS) kishte kërkuar verifikim të dokumenteve, të cilat përfituesit i kishin dorëzuar përmes qendrave për punë sociale dhe postës. Megjithatë, pagesat vazhdonin të mbeteshin të pezulluara, pa asnjë njoftim apo sqarim zyrtar.
Në disa raste, përfituesve të komunitetit serb u është kërkuar të paraqiten në Agjencinë e Statistikave të Kosovës për të verifikuar vendbanimin, pasi dokumentet e dorëzuara si dëshmi – përfshirë vërtetime shkollore dhe të dhëna vaksinimi – nuk njiheshin nga sistemi shtetëror.
Gjatë hetimeve, Avokati i Popullit ka kërkuar nga DSS të gjitha vendimet dhe udhëzimet zyrtare që kanë udhëhequr procesin e verifikimit, por deri në përpilimin e raportit, këto dokumente nuk janë dorëzuar. Ndër dokumentet problematike është veçuar Vendimi i 31 tetorit 2024, që përmend procesin e verifikimit, por nuk specifikon dokumentet shtesë të kërkuara përmes e-mailit nga qytetarët.
Avokati i Popullit vlerëson se, edhe pse MFPT mund të mos ketë synuar shkeljen e të drejtave, mënyra se si është zbatuar procesi i verifikimit ka qenë në kundërshtim me parimet e procedurës administrative. Kjo ka sjellë pasoja të rënda për fëmijët e komunitetit serb, të cilët janë vënë në pozitë të pabarabartë dhe të pafavorshme duke përberë kështu diskriminim mbi bazë etnike.
Në përmbyllje të raportit, Avokati i Popullit i ka rekomanduar MFPT-së që:
Të publikojë menjëherë dhe në mënyrë transparente të gjitha vendimet dhe kushtet për procesin e verifikimit, në të dy gjuhët zyrtare;
Të gjejë mënyra të përshtatshme për verifikimin e përmbushjes së kritereve, pa e bërë procesin të padrejtë apo diskriminues;
Të sigurojë kompensimin retroaktiv të të gjitha pagesave të papaguara për përfituesit që kanë plotësuar kriteret pas verifikimit.
Avokati i Popullit ka theksuar nevojën për respektim të sundimit të ligjit dhe të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike. /Kosova.info/
