KQZ: Numri i asamblistëve në komuna sipas regjistrimit të popullsisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se ka pranuar shkresën zyrtare nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila përcakton numrin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale për Zgjedhjet Lokale të këtij viti, bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024.

Ky hap vjen në kuadër të përgatitjeve të KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve të rregullta për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale që do të mbahen gjatë vjeshtës në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

“Sipas Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, konkretisht nenit 36, paragrafin 1, numri i anëtarëve në kuvendet komunale përcaktohet në mënyrë proporcionale me numrin e banorëve të secilës komunë. Përjashtim bën vetëm Komuna e Prishtinës, e cila, sipas paragrafin 2 të këtij neni, ka një kuvend prej 51 anëtarësh, pavarësisht numrit të banorëve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Tutje theksohet se sipas shkresës së MAPL-së dhe bazuar në të dhënat e reja demografike, numri i anëtarëve të Kuvendit Komunal për secilën komunë do të jetë si në vijim:

Deri në 10.000 banorë – Kuvendi përbëhet prej 15 anëtarëve

Prej 10.001 deri 20.000 banorë – Kuvendi përbëhet prej 19 anëtarëve

Prej 20.001 deri 30.000 banorë – Kuvendi përbëhet prej 21 anëtarëve

Prej 30.001 deri 50.000 banorë – Kuvendi përbëhet prej 27 anëtarëve

Prej 50.001 deri 70.000 banorë – Kuvendi përbëhet prej 31 anëtarëve

Prej 70.001 deri 100.000 banorë – Kuvendi përbëhet prej 35 anëtarëve

Mbi 100.000 banorë – Kuvendi përbëhet prej 41 anëtarëve /Kosova.info/

Go to TOP