Miftaraj kërkon sqarim nga PSRK për rolin e Bislimit dhe Ministrisë së Drejtësisë në rastin e Bujqësisë

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka kërkuar që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) të sqarojë plotësisht të gjitha aspektet që lidhen me rastin e Ministrisë së Bujqësisë, përfshirë edhe rolin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Ministrisë së Drejtësisë në dhënien me qira të pronës publike.

Sipas Miftarajt, për të garantuar transparencë të plotë dhe për të eliminuar çdo dyshim në opinionin publik, është thelbësore që të sqarohet jo vetëm veprimtaria e Ministrit Faton Peci, por edhe përfshirja eventuale e institucioneve të tjera që janë përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë në deklaratat publike.

“Në mënyrë që të zbardhet e vërteta e plotë në rastin e Ministrisë së Bujqësisë dhe të menjanohen krejtësisht dyshimet, PSRK do duhej të sqaronte edhe rolin e Besnik Bislimit dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhur me dhënien me qira të pronës publike,” ka deklaruar Miftaraj.

Ai theksoi se kjo kërkesë nuk ka për qëllim të konstatojë fajësinë apo pafajësinë e askujt, por se është në interes të publikut të qartësohen pretendimet e ngritura nga vetë ministri Peci për përfshirjen e Bislimit dhe MD-së në këtë proces.

Kërkesa e Miftarajt vjen në një moment kur debati publik dhe politik për veprimet e Prokurorisë Speciale dhe akuzat për ndikime institucionale është intensifikuar duke rritur presionin për një hetim gjithëpërfshirës dhe transparent. /Kosova.info/


Go to TOP