Bizneset protestojnë më 29 maj kundër daljes së dhunshme në tregun e lirë të energjisë – OEK kërkon fazë kalimtare
Pas përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërtuar një dialog të sinqertë dhe konstruktiv me institucionet e vendit, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se komuniteti i bizneseve do të organizojë një protestë të enjten, më 29 maj 2025, nga ora 10:00 deri në ora 12:00. Protesta do të mbahet për të kundërshtuar mënyrën si po zbatohet procesi i detyrueshëm i daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Sipas OEK-ut, mungesa e një bashkëpunimi të mirëfilltë dhe e një faze kalimtare të menaxhueshme ka sjellë pasoja të mëdha për sektorin privat. “Mungesa e përgatitjes së tregut dhe mbështetjes institucionale po krijon pabarazi në treg, rrezikon konkurrueshmërinë, prodhimin vendor dhe vendet e punës”, thuhet në reagimin e tyre.
OEK shpreh keqardhje që kërkesat për një proces të drejtë janë injoruar nga institucionet duke theksuar se vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ta detyruar daljen e bizneseve në tregun e lirë, pa fazë tranzicioni, është i papranueshëm.
“Komuniteti i bizneseve është i vendosur që të mos ndalet me protestën e 29 majit, nëse institucionet nuk reflektojnë dhe nuk ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar kërkesat tona. Protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e tyre,” ka bërë të ditur OEK.
Në fund, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje institucioneve që të veprojnë me urgjencë dhe të krijojnë një fazë kalimtare për përgatitjen graduale të bizneseve duke mundësuar një integrim të drejtë dhe të qëndrueshëm në tregun e lirë të energjisë. /Kosova.info/
