GAP: Masat ndëshkuese të BE-së i kushtuan Kosovës mbi 600 milionë euro në projekte të pezulluara

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, që nga qershori i vitit 2023, masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) ndaj Kosovës kanë shkaktuar pasoja të rënda financiare dhe zhvillimore për vendin. Raporti thekson se si rezultat i këtyre masave, Kosova ka humbur ose ka pezulluar projekte me vlerë të përgjithshme prej rreth 613.4 milionë euro, përfshirë 7.1 milionë euro që janë humbur tërësisht për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e projekteve.

Masat përfshijnë ndërprerjen e punës së organeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit deri në maj të vitit 2025, pezullimin e fondeve IPA për Kosovën dhe bllokimin e shqyrtimit të projekteve të propozuara nga Kosova në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Po ashtu, Kosova është përjashtuar nga pjesëmarrja në shumicën e ngjarjeve të nivelit të lartë të BE-së, përveç atyre që lidhen me situatën në veri dhe integrimin rajonal.

Sektorët më të prekur nga këto masa janë mjedisi (350.7 milionë euro), energjia (114.4 milionë euro), digjitalizimi (57 milionë euro) dhe kultura (15 milionë euro). Nga fondet e pezulluara, 218 milionë euro i takojnë programeve IPA II dhe IPA III, ndërsa 395.5 milionë euro janë projekte të WBIF-it, të cilat ishin parashikuar të financoheshin përmes granteve dhe kredive.

BE-ja ishte planifikuar të kontribuonte me rreth 421 milionë euro, ndërsa 162 milionë euro do të vinin nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe 31 milionë euro nga vetëfinancimi. Shtyrjet apo humbjet e këtyre projekteve kanë reduktuar ndjeshëm mundësitë për zhvillim ekonomik, përmirësim të infrastrukturës dhe rritje të mirëqenies për qytetarët e Kosovës, duke ndikuar negativisht edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Për heqjen e masave ndëshkuese është e nevojshme arritja e një konsensusi të plotë mes vendeve anëtare të BE-së, gjë që deri tani nuk është realizuar. /Kosova.info/


Go to TOP