Perla e Adriatikut në Rrezik: Oligarku i Millosheviçit ndërton resort luksoz në bregdetin shqiptar

Një prej zonave më të bukura dhe të virgjëra të bregdetit shqiptar po kthehet në një tjetër viktimë të planeve shumëmilionëshe të oligarkëve të rajonit. Burime për redaksinë bëjnë me dije se një projekt gjigant ndërtimi ka nisur në një nga pikat më piktoreske të Adriatikut, duke ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale dhe shqetësim të thellë nga aktivistë dhe qytetarë, shkruan JOQ.al

Pas këtij projekti fshihet emri i njohur i biznesmenit nga Peja, Ekrem Lluka – një figurë kontroverse, i përfolur prej vitesh si oligark i lidhur ngushtë me ish-regjimin e Sllobodan Millosheviçit. Sipas burimeve, Lluka akuzohet për pastrim parash përmes këtij investimi luksoz, duke përdorur pasuri të dyshimta të grumbulluara përmes kontrabandës rajonale dhe lidhjeve të errëta të së kaluarës.

Emri i tij është lakuar shpesh në skema të mëdha kontrabande me cigare dhe naftë në vitet ’90, ku përmendet edhe një lidhje e drejtpërdrejtë me vëllain e Millosheviçit, i cili, sipas të njëjtave burime, ende sot përfiton nga bizneset e përbashkëta me Llukën në Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje, në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme.

Shqetësimi më i madh qëndron në faktin se ky zhvillim po ndodh në një zonë që duhej të ishte e mbrojtur për vlerat e saj natyrore dhe ekologjike. Pa një transparencë të qartë mbi lejet, pronësinë dhe burimin e fondeve, projekti ngre alarmin për një tjetër rast të kapjes së pasurive publike nga interesat e ngushta të elitës oligarkike.

Shumë aktivistë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti dhe institucionet ndërkombëtare për të hetuar këtë investim dhe për të mbrojtur pasuritë natyrore të Shqipërisë nga grabitqarët ekonomikë të Ballkanit.

Go to TOP