Rama: Grumbullimi i punëtorëve të “Pastrimit” është i panevojshëm, kontrata prej 1.5 milionë euro pret nënshkrimin e tyre
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj grumbullimit të punëtorëve të Kompanisë Regjionale të Pastrimit “Pastrimi” para objektit të Komunës duke e quajtur këtë veprim të panevojshëm dhe të nxitur për qëllime politike nga menaxhmenti i kompanisë.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve, Rama ka theksuar se Kryeqyteti është prej kohësh i angazhuar në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën me mbeturinat në qytet. Ai ka bërë të ditur se tashmë është nënshkruar kontrata me Kompaninë Regjionale të Pastrimit, në vlerë prej 1.5 milionë euro, për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në Prishtinë.
“Konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë,” ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se Komuna pret nënshkrimin e kontratës edhe nga ana e kompanisë “Pastrimi”, në mënyrë që punëtorët të mund t’i kthehen punës dhe angazhimit të tyre në shërbim të qytetarëve të Kryeqytetit. /Kosova.info/
