Lushi: Kurti është shqiptari më i padijshëm që kam njohur – Po i kushton kombit miliarda me padijeninë e tij

Aktivisti i njohur i çështjes kombëtare, Ukë Lushi, ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e quajtur atë “shqiptarin më të padijshëm” që ka njohur ndonjëherë.

Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Lushi thotë se Kurti, i cili ka kaluar gjithë jetën në politikë, nuk ka asnjë njohuri për qeverisje apo menaxhim. Sipas tij, kjo mungesë dijesh po i kushton shqiptarëve miliarda euro përmes keqalokimeve buxhetore dhe shfrytëzimit të padrejtë të djersës së qytetarëve.

Ai e kritikon ashpër projektin e Qeverisë për ndërtimin e banesave të përballueshme duke e konsideruar si kthim në logjikën e sistemit socialist jugosllav. Sipas tij, ndërtimi i këtyre banesave nuk do të zgjidhë problemin e strehimit, por do të krijojë “enklava të parazitizmit dhe varfërisë”.

“Në vend se të taksojë 182 mijë banesa të pabanuara, Kurti po ndërton banesa shtetërore që do ta thellojnë varësinë e qytetarëve nga shteti. Njerëzit nuk duan lëmoshë, por punë dhe mundësi në një treg të lirë”, shkruan Lushi.

Ai kërkon që Qeveria të vendosë taksë për banesat që nuk banohet më shumë se gjashtë muaj në vit, me qëllim që të lirohet tregu dhe të ndihmohen grupet më të ndjeshme pa krijuar varësi artificiale.

Në fund të reagimit të tij, Lushi e quan Kurtin “populist teveqel” dhe shprehet se Kosova ka “fatin e keq” ta ketë këtë njeri si alokues të parasë publike duke u lutur që vendi të “çlirohet sa më shpejt nga ky i padijshëm”. /Kosova.info/

Go to TOP